Trajneri i Milanit ka grumbulluar të gjithë lojtarët e ekipit për ndeshjen e sotme kundër verdhekuqve
1 pikë i mjafton Milanit sot për të fituar titullin kampion në “Olimpiko”. Pak rëndësi ka nëse Interi fiton, barazon ose humb nesër kundër Fiorentinës në “San Siro”, kur kanë mbetur edhe tri javë kampionat.
“Kam vendosur t’i grumbulloj të gjithë lojtarët, sepse, në rast se do të fitojmë kampionatin, mund të marrin pjesë në festë”. Në prag të ndeshjes që mund të mbyllë matematikisht kampionatin, Masimiliano Allegri ka provuar të bëjë rolin e të ekuilibruarit, duke mbetur pezull midis dëshirës për të festuar dhe shqetësimit për të mos prishur gjithçka:
“Roma, – ka thënë ai, – është një skuadër e fortë dhe Toti është në formë të mirë. Për të fituar do të duhet të bëjmë një ndeshje perfekte”. Më pas në lidhje me Ibrën: “Jam i sigurt se do të qëndrojë me ne”. Allegri ka preferuar ta mbaj lart përqendrimin e skuadrës dhe nuk ka besim te verdhekuqtë:
“Mungon vetëm një pikë, mund edhe të mos na duhet. Do të ishte një gëzim i madh, një arritje e rëndësishme për këtë grup. Roma për ne do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Ata kanë një mundësi të madhe për siguruar një vend në Ligën e Kampionëve.
Mbi të gjitha, humbja e Lacios të dielën e kaluar i ka çuar ata më afër objektivit. Pastaj ka qenë një nga skuadrat pretendente për të fituar titullin këtë vit në kampionat”. Trajneri kuqezi synon të fitojë edhe Kupën e Italisë:
“Të martën me Palermon na pret një ndeshje shumë e rëndësishme, do të na jepte mundësinë të shkonim në finale. Zgjedhjet që do të bëjë për sfidën kundër Romës do t’i bëjë duke menduar për ndeshjen e kupës.
Milani i ka të gjitha mundësitë për të fituar në Palermo”. Më pas, Allegri është kthyer të flasë për takimin e mbrëmjes së sotme kundër Romës: “Eshtë normale të bëhen zgjedhje, ata që do të shkojnë në tribunë do të duhet ta pranojnë zgjedhjen, edhe pse duhet të mendojmë edhe për gjysmëfialen e kupës”.
Allegri ka dashur të qetësojë edhe tifozët në lidhje me Zllatan Ibrahimoviçin: “Ka shumë dëshirë për të luajtur, duhet të bëjë një ndeshje të madhe. Do të kthehet Ibra, por edhe Pato. Do t’i kem në dispozicion të 4 sulmuesit. Zllatan do të qëndrojë edhe vitin tjetër? Sigurisht…”.
Në fund, tekniku kuqezi ka pranuar edhe kritikat e presidentit Silvio Berluskoni, që kanë ardhur pas ndeshjes së fituar të dielën kundër Bolonjës. “Presidenti ka thënë se skuadra nuk ka luajtur shumë mirë. Ka pasur të drejtë dhe e pranoj me qetësi kritikën”, ka thënë Allegri.



















No comments yet... Be the first to leave a reply!