Nga 7 golat e shënuar nga Juventusi deri tani, 3 kanë ardhur falë “magjive” të mesfushorit, i cili këtë të dielë do të ketë një rast të mirë për revansh
E presin një gol të tij tek Juvja. Normalisht edhe vetë ai e pret diçka të tillë. Andrea Pirlo, të dielën do të përballet me të kaluarën e tij, Milanin, edhe pse kësaj radhe jo më i përlotur si dikur. Deri tani tentativat e tij për gol janë ndeshur me barriera apo portierë që gëzojnë një formë të mirë. Gjithçka po shkon mirë tek puna e tij përveç faktit që ende nuk po gjen rrugën e rrjetës.
Ai ka mundur të dhurojë tre asiste për shënim, dy prej të cilave në ndeshjen e parë ndaj Parmës, ku ai shërbeu për Likshtejner dhe Markizion, të cilët e çuan topin në rrjetë, ndërsa rasti tjetër ishte ai ndaj Bolonjës, ku asisti i Pirlos ishte vendimtar për shënimin e golit nga Vuçiniç. Tre nga shtatë golat që Juventusi ka shënuar në këto katër ndeshje kanë qenë fryt i punës së Pirlos.
Nuk është rastësi që tek Juventusi kanë shënuar shtatë lojtarë të ndryshëm, pasi Pirlo dhuron asiste për këdo. Tashmë kushdo që do të përballet me Juventusin i duhet të bllokojë fillimisht “regjizorin” e bardhezinjve, Andrea Pirlo, i cili është “çelësi” i skuadrës së Kontes. Hapi i parë mbërriti në Katania sikurse do të pranonte dhe Montela:
“E kishim studiuar ndeshjen dhe e dinim mirë që duhet t’i bënim presion këtij lojtari.” Ndërkohë që vetë mesfushori do të shprehej: “Kisha pak hapësira, më mbuluan mirë”. Milani ia ka arritur qëllimit për ta zëvëndësuar pozicionin e tij përmes Boatengut, i cili është rikuperuar në kohë rekord. Ndërkohë në rast emergjence, alternativat nuk mungojnë: Emanuelson ose Akuilani. Gjithsesi për Konten Juventusi nuk është vetëm Pirlo: “Ne bëjmë një lojë në grup, ndërkohë që kontributi i kampionit është gjithmonë në dispozicion të skuadrës”.
Trajneri i bardhezinjve mund të mendojë të hedhë në mesfushë që nga minuta e parë edhe Vidalin, pasi Pirlo në këtë rast duhet të jetë i mbrojtur. Tashmë dihet që arma parësore e “Zonjës së Vjetër” mbetet Pirlo, gjeniu që shkëlqen me pasimet e tij. Varësia ndaj tij? Ndoshta akoma s’ka ardhur një moment i tillë, por në disa raste nevoja për Pirlon ka qenë thelbësore.
Edhe Alegri e vajton largimin e tij, pavarësisht se kurrë nuk ka arritur ta shfaqë drejtpërdrejt. Shokët e tij, këtë të diel do t’i bëjnë një vizitë në “Juventus Stadium”: “Zgjodha Juven pasi është një ekip që kërkon të rikthehet tek fitorja sikurse dhe unë”- u shpreh mesfushori gjatë ditëve të para të mbërritjes tek Juventusi. Kushedi nëse e kishte seriozisht? Për momentin situata në të cilën gjenden bardhezinjtë ngjall me të vërtetë kureshtje.
Konte nuk ka asnjë pikë referimi që mund të rrezikojë mbrojtjen kundërshtare, skemat e tij ua heqin ekskluzivitetin sulmuesve, të cilët kanë shënuar vetëm dy herë deri tani (Matri e Vuçiniç). Tek Juvja shënojnë të gjithë. I pari që theu akullin ishte pikërisht Matri, i cili me golin e shënuar ndaj Sienës tregoi shumë mirë se mund të përshtatej shkëlqyeshëm me Vuçuiniçin, ndërkohë që ky i fundit, tri ditë më vonë do të firmoste golin e tij të parë zyrtar me fanellën e Juves.
Ndërkohë golat e tjerë kanë mbërritur nga mesfushorët, Pepe, Markizio, Vidal dhe së fundi Krasiç, i cili shënoi golin e barazimit në Katania. Ky barazim tregooi që Juventusi ka ende nevojë të përmirësojë repartin defensiv. Dje të gjithë lojtarët u stërvitën në palestër përfshi edhe Barzaljin. Sa i përket Pirlos, ai po bën gjithçka mirë, thjesht pret që të fillojë të shënojë duke qenë se ai nuk është mësuar të qëndrojë në kuotën e zero golave.



















No comments yet... Be the first to leave a reply!